Deputeti i Partisë Demokratike, Romeo Gurakuqi ka publikuar disa foto shqetësuese që tregojnë mjerimin e një familje në Shkodër, e cila është një prej mijërave të tjera që është hequr së fundmi me vendim të qeverisë, nga skema e ndihmës ekonomike.

Gurakuqi thotë se familja Kraja që jeton në lagjen Dracin të Shkodrës ka mbetur pa asistencë ekonomike.

Ai thekson se publiku shkodran është i rrethuar nga “mure” të ndërtuara prej gënjeshtrash dhe letra të përpiluara nga dizenjatorë të propagandës dhe ligësisë.

Reagimi:

Këto foto janë për Kryeministrin e vendit, z. Edi Rama, për t’i provuar se kujt ia ka hequr asistencën, skema e tij e rrënimit social.

I përkasin shtëpisë zotit Myzafer Musa Kraja, nga Lagja Dracin, Shkodër. Është një nga mijëra fshirje prej skemës së asistencës, të cilat i shtohen mjerimit në të cilin qeveria e PS e ka vendosur Shkodrën.

Dua t’i bëj me dije publikut, se prej muajsh gjendem përballë indiferentizmit të plotë të qeverisë socialiste, e përberë tashmë edhe nga “shkodranë”, ndaj çdo projekti që kam kërkuar të realizohet për Shkodrën dhe krahinën e saj.

Është pak të thuash se Publiku i Shkodrës gjendet i rrethuem nga “mure” të ndërtuem prej rrenash, të shkrueme ndër letra, të mbeshtjella bukur- bukur me kapak, të përpiluem enkas prej dizenjatorësh të propagandës dhe ligësisë.