Rensselaer Lee, William Severe

Armët bërthamore dhe zhvillimi i tyre janë qendra e strategjisë së mbrojtjes së Penjanit, qëllimi kryesor i së cilit është të zbrapsë një sulm potencial që mund t’i kanoset Koresë së Veriut nga Shtetet e Bashkuara. Askush nuk duhet të çuditet për faktin se politika amerikane e mëparshme ka dështuar plotësisht për të frenuar zhvillimin e armëve të shkatërrimit në masë nga Korea e Veriut, programi i së cilës kapërceu një prag të ri gjatë vitit të kaluar. Këto zhvillime u bënë të qarta me testimin e bombës me hidrogjen dhe me shpërthimin e 23 raketave në vitin 2017, bashkë me pretendimin e Penjanit se ka arritur kapacitetin për të prekur tokën amerikane me raketa. Kim Jong Un, në fjalimin e tij të Vitit të Ri kërcënoi se do të niste prodhimin masiv të armëve bërthamore dhe raketave dhe do ti mbante në gatishmëri për veprim, me pak fjalë do të zgjeronte mbulimin potencial të shënjestrave amerikane me raketa koreane. Duket se është vetëm çështje kohe përpara se Penjani të jetë i aftë të montojë koka bërthamore në raketa të drejtuara kundër shënjestrave amerikane. Jo çuditërisht, këto kërcënime të mundshme kanë ngjallur jo pak shqetësime në Uashington. Në kundërpërgjigje, Shtetet e Bashkuara tashmë kanë zhvendosur asete të shumta ushtarake në rajon edhe pse kështu shtohet rreziku i një konflikti të armatosur në gadishullin korean dhe Azinë Verilindore.

Qasja e dështuar amerikane
Gjatë administratës Obama, qasja amerikane kundër Koresë së Veriut ka qenë përdorimi i presionit ekonomik si mjet politik, me qëllim tkurrjen e eksporteve të Penjanit dhe operacionet e prokurimit. Shpresa ishte që Penjani të kuptonte gabimet në këtë mënyrë, të ulej në tavolinën e negocimit dhe të binte dakord të dorëzonte ose të paktën të reduktonte ndjeshëm asetet bërthamore të vendit. Raundet e sanksioneve të miratuara nga Kombet e Bashkiara kanë arritur të shkaktojnë pak vuajtje ekonomike, por nuk kanë ndikuar në asnjë mënyrë në zgjedhjet politike bërthamore të Penjanit apo në sjelljen e vendit. Politika amerikane është përpjekur më pas të shtyjë Pekinin ti bëjë presion Koresë së Veriut, por tentativat kanë qenë zhgënjyese pavarësisht mbështetjen formale nga ana e Kinës për çarmatimin bërthamor të gadishullit korean. Ka disa faktorë që shpjegojnë përse politika amerikane e mëparshme ka dështuar me sanksionet ekonomike. Një është që Korea ka gjetur mundësitë për t’i bërë bisht sanksioneve, që nga përdorimi i kompanive të kamufluara apo mjetet me flamur të huaj, sëbashku me operacionet e hapura kriminale që zhvillon si trafikimi i drogës, falsifikimet dhe vjedhjet dixhitale të llogarive bankare. Krimet dixhitale i sjellin Koresë së Veriut rreth 1 miliard dollarë në vit, shumë e mjaftueshme për të zbutur impaktin e sanksioneve ndërkombëtare në produktet e saj kryesore të eksportit si qymyri, hekuri apo produktet e peshkut. Evazionet e suksesshme të Penjanit janë ndihmuar së tepërmi edhe nga fakti që vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara nuk kanë shprehur interes të madh ndaj veprimeve bërthamore të Veriut, ose përfitojnë nga prokurimet dhe shitjet e jashtëligjshme të Penjanit apo kanë interesa në ruajtjen e regjimit të Kimit. Raportimet e mediave kohët e fundit tregojnë se, Rusia dhe Kina tolerojnë ose injorojnë qëllimisht trafikun e Koresë së Veriut në kundërshtim me sanksionet ndërkombëtare. Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, Korea e Veriut ka eksportuar mbi 200 milionë dollarë qymyr dhe mallra të tjera të ndaluara gjatë vitit 2017, kryesisht drejt Kinës, Rusisë, Malajzisë dhe Vietnamit. Ajo që ka penguar efektet e sanksioneve ndërkombëtare kanë qenë edhe politikat ekonomike të brendshme të Koresë së Veriut, reformat në bujqësi dhe menaxhimi industrial që kanë nxitur produktivitetin dhe rritjen ekonomike të vendit. Në Penjan po nxitet një kulturë konsumatore, siç tregohet edhe nga numri i makinave të trafikut, komplekseve të stilit perëndimor, restoranteve, agjensive turistike dhe modernizime të tjera. Mesazhi që është dashur të përçohet nga qeveria është se Korea e Veriut po rritet pavarësisht izolimit nga ekonomia ndërkombëtare.

Një aspekt thelbësor i strategjisë së presionit ekonomik nga Uashingtoni ka qenë përpjekja për të implementuar vullnetin dipomatik të Kinës për të bindur Korenë që të braktisë programin bërthamor. Shtetet e Bashkuara kanë dashur që Kina të jetë një bashkëpunëtor primar në zgjidhjen e krizës bërthamore dhe aktorë të tjerë rajonalë, si Rusia nuk kanë interes në stretegjinë amerikane kundër Koresë së Veriut. Kina ka një levë të madhe ekonomike, pasi përbën 80 apo 910 për qind të tregtisë së jashtme të vendit, por ka bashkëpunuar me hezitim dhe pjesërisht në sanksionet ndërkombëtare. Kina vazhdon të ndihmojë Korenë e Veriut me blerjet e qymyrit dhe hekurit dhe me furnizimin e vendit me produkte të vlefshme në kundërshtim me qasjen amerikane. Më tej, Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë perceptime tërësisht të kundërta për regjimin e Kimit. Shtetet e Bashkuara do të donin që regjimi të zhdukej, ndërsa Kina do të parandalojë kolapsin nga frika e spostimit të balancës aziatike në disfavor të Pekinit. Për më tepër, Kina nuk do të ketë një shtet të dështuar bërthamor në derën e shtëpisë dhe i druhet një konflikti bërthamor ndërmjet fraksioneve të Koresë së Veriut në rast të rënies së regjimit.

Perspektiva e negociatave
Duke ditur mirë se politikat e mëparshme për të mbajtur nën kontroll kërcënimin e Penjanit kanë dështuar mjerisht, Uashingtoni që në mesin e vitit të kaluar, ka nisur të marrë në konsideratë negociatat me Korenë e Veriut, edhe pse ka mbajtur në fuqi sanksionet ndërkombëtare. Edhe pse për çështjen ka pasur shumë debate, është e qartë se strategjia e re është duke evoluar. Presidenti Donald Trump ka deklaruar se Korea e Veriut duhet të ulet në tavolinë për të biseduar. Në janar të këtij viti, presidenti ka thënë në një intervistë për Wall Street Journal se “mund të kishte marrëdhënie të mirë me Kim Jong Un-in”, duke sinjalizuar kështu se, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të bëjnë një tentativë dialogu. Në lojërat olimpike dimërore të këtij muaji zyrtarët e administratës përfshirë edhe zëvendës presidentin Mike Pence, kanë shprehur një gatishmëri nga ana e tyre për të nisur bisedimet parapërgatitore me Penjanin. Megjithatë, deri tani nuk është marrë asnjë përgjigje pozitive nga Korea e Veriut. Sfida parësore e një qasjeje diplomatike është ulja e liderëve të Penjanit në tavolinën e diskutimeve. Duke pasur parasysh armiqësinë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut, kjo e dyta me siguri nuk do të pranojë të flasë direkt me SHBA-të. Me siguri do të hidhet ideja e ndërmjetësimit të Moskës. Lidhjet historike të Rusisë me Korenë e Veriut dhe eksperienca e gjatë e marrëdhënies me dinastinë Kim, do të thotë se kanë marrëdhënie më të mirë ndërqeveritare se cilido shtet tjetër, përfshirë këtu edhe Kinën.

Në fakt, ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov ka ofruar kohët e fundit mbështetje për të promovuar bisedimin direkt ndërmjet Uashingtonit dhe Penjanit, por ende nuk dihet se cili do të jetë çmimi i Rusisë për këtë shërbim të dhënë. Ideja e ndërmjetësimit të Rusisë natyrisht nuk shihet me sy të mirë në Uashington dhe administrata Trump ka sugjeruar shfrytëzimin e “shpirtit olimpik” të kësaj kohe për të krijuar një urë bisedimesh me zyrtarët koreanë, por as kjo nuk ka funksinuar. Natyrisht, qëllimi i negociatave do të ishte dorëzimi i arsenalit bërthamor nga Korea e Veriut. Perëndimi në këtë rast ka shumë pak levë në vendimet bërthamore të Penjanit. Miratimi i sanksioneve të tjera nuk do ta ndryshonte sjelljen e Veriut, pasi, siç ka deklaruar edhe Putini, koreanët preferojnë të hanë bar se sa të dorëzojnë armët e tyre bërthamore. As premtimet për heqjen e sanksioneve, ndihmat ekonomike , normalizimin e marrëdhënieve diplomatike apo të sigurisë kombëtare nuk do të funksiononin, pasi Korea e Veriut ka besim më shumë tek armët bërthamore se sa tek premtimet e perëndimit. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis ka thënë në një konferencë të tetorit 2017 në Seul se: “Shtetet e Bashkuara nuk mund të pranojnë dot në asnjë situatë në të cilën Korea e Veriut gëzon statusin e fuqisë bërthamore”. Por a do të pranonin Shtetet e Bashkuara një marrëveshje që nuk përfshin dorëzimin e plotë dhe çarmatimin bërthamor? A do të pranonte Penjani të tërhiqej nga ambiciet globale bërthamore dhe të mos ketë më mbrojtje kundër Shteteve të Bashkuara? Si do të vendosin palët të negociojnë këto çështje thelbësore nëse arrijnë të ulen në një tryezë?

Çfarë mund të negociohet?
Një mundësi e diskutuar shpesh është moratoriumi me ngrirë testimin e armëve bërthamore dhe raketave balistike. Në varësi të kushteve të negociuara, kjo do të eliminonte praktikisht kërcënimin e raketave me rreze të gjatë kundër territorit amerikan, zotërimeve amerikane në paqësor dhe Japoni. Në versionin ruso-kinez të këtij propozimi, Shtetet e Bashkiara dhe Korea e Jugut nuk do të kryenin më stërvitje ushtarake kundër Koresë së Veriut. Mund të merren në konsideratë edhe lëshime të tjera, si heqja e bombave B1-B dhe disa pajisjeve të tjera nga rajoni. Koncepti i “ngrirjes së dy aseteve” mund të ofronte bazën e hapave të mëtejshëm të çarmatimit të plotë dhe do të kërkonte gjithashtu prezencën e inspektorëve ndërkombëtarë brenda faciliteteve bërthamore të Koresë së Veriut, një sfidë akoma më e vështirë për t’’u negociuar, krahasuar me ngrirjen e testimeve. Këto hapa mund ta lënë Korenë e Veriut me një status de fakto të shtetit bërthamor, por një shtet më pak i rrezikshëm, pasi do të lejiohet të mbajë vetëm një pjesë të pajisjeve bërthamore, jo të vazhdojë zhvillimin e sistemit të lëshimit. Natyrisht, kjo nuk eliminon sulmet më pak eficente dhe primitive si lëshimi ajror, nëndetëseve apo sulmet vetvrasëse me kapacitet bërthamor. Më tej, reduktimi i profilit bërthamor dhe i kapacitetit luftues mbart përsëri rrezikun e vazhdimit të zhvillimit të teknologjisë në shtetet e tjera. Rreziqet janë përsëri të mëdha për Shtetet e Bashkuara. Kjo do të thotë se Korea e Veriut do të kërkojë një çmim të lartë në benefite ekonomike, privilegje diplomatike dhe garanci sigurie në këmbim të dorëzimit të një pjese të armëve bërthamore. Negociatat premtojnë se do të jenë majft të vështira, veçanërisht prej faktit, sepse fillimisht do të duhet të ndreqen gabimet e politikës së shkuar.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI