Corriere della Sera

-Giampaolo Pansa, kush është «komandant i bardhë», Aldo Gastaldi, me emrin e luftës Bisagno, të cilit ju i kushtoni librin tuaj të ri?
«Ishte një hero. Komandanti i vetëm partizan jokomunist i Divizionit të III-të Cichero, më i rëndësishmi i gjithë krahinës Liguria. I vdekur në rrethana misterioze menjëherë pas mbarimit të luftës. Jam i bindur se është vrarë».

-Si do t’ua përshkruanit lexuesve të “Corriere della Sera”?
«Një Jezù Krisht me automatik. Thellësisht katolik. Më ka treguar një dëshmitar se çdo javë zhdukej në natën e Val Trebbia. Merrte motoçikletën e tij, shkonte tek një famullitar, i binte me çokë xhamit të famullisë që ta njihnin, rrëfehej, merrte komunionin. Nganjëherë asistonte edhe në meshë. Pastaj kthehej tek njerëzit e tij, kur ka vdekur në moshën 24-vjeçare, ishte ende i virgjër».

-Pse?
«Për të, një katolik i mirë nuk duhej të kishte raporte përpara martesës. Siç thotë Amino Pizzorno, me emrin e luftës Attilio, kreu i SIP-it, shumë delikatit Shërbim Informacioni dhe Policie: “Komisari ynë politik, Miro, do të shkonte i vetëm në Genova e pushtuar nga nazistët për të palluar ndonjë femër; kurse komandanti ynë ushtarak ka zgjedhur virgjërinë»

-Miro quhej në të vërtetë Anton Ukmar.
«Një emër që tingëllon si një e shtënë pushke».

-Në librin tuaj ju hipotezoni se Miro, me fjalë me nënkuptim, e kishte paralajmëruar Bisagno për rrezikun që e priste për shkak të shokëve të tij komunistë.
«Ka mundësi që ta ketë bërë vërtet. Edhe Miro ëndërronte revolucionin dhe diktaturën e proletariatit, ama përçmonte krerët komunistë të Genova, i konsideronte burokratë, ndërkohë që ai ishte një luftëtar i vërtetë, i ashpër».

-Pse komunistët donin ta vrisnin Bisagno?
«Nuk ishte një instrument i manovrueshëm në duart e tyre, siç do të kishin dashur. Kishte propozuar edhe abrogimin postin e komisarit politik. Tentuan në çdo mënyrë ta nxirrnin jashtë loje. Fillimisht komanda e Dvizionit të VI-të liguras kërkoi që t’i hiqte drejtimin e divizionit të tij. Më pas e urdhëruan që ta linte territorin e tij, ku kishte shpëtuar 1200 njerëz nga spastrimet e tmerrshme e “dimrit të mongolëve”, kaukazianëve në shërbim të nazistëve, dhe të shkonte në ekzil në një luginë tjetër. Por ai u paraqit në takim i shoqëruar nga 30 fytyra të vrenjtura, të armatosur me automatikë, dhe komunistëve nuk ua mbajti që të këmbëngulnin. Por tashmë ia kishin bërë benë».

-Bisagno tentoi të ndalojë hakmarrjet pas 25 prillit.
«Në Genova gjaku i të mundurve rrodhi lumë: mbi 800 të vdekur. Shumë nuk kishin prekur kurrë armë me dorë. Rrëfehet, por nuk ka konfirmime, se fashistët hidheshin në furrëlarta ende të gjallë. Bisagno nuk mund ta duronte një gjë të tillë. “Duhet më shumë kurajë për të vrarë sesa të vritesh”, thoshte ai. Në fakt, propozoi që të zëvendësohej policia partizane me policinë ushtarake amerikane».

-Nga këtu edhe fama e tij si mik i amerikanëve.
«Bisagno ishte lidhur me ta. Ishte ftuar në Amerikë për t’u mësuar guerriljen. Një motiv më shumë për ta asgjësuar. Jam i bindur se prapa incidentit të sajuar rrugor ku humbi jetën fshihet një krim i rëndë».

-Si shkoi?
«Bisagno i kishte premtuar një grupi alpinësh të Monterosa, të cilin kishin dezertuar për t’u bashkuar me të, se do t’i çonte në shtëpi, në Garda. Qe njeri i fjalës. U nis nga Genova më 20 maj 1945 me një kamion Fiat 666 dhe një kamion të madh Volksëagen. Ishin dy partizanë të tij, plus shoferi; por ndoshta ka qenë edhe një njeri i katërt që nuk u identifikua kurrë. Bisagno fjeti në Riva del Garda. Të nesërmen, në rrugën e kthimit, filloi që të sillej në mënyrë të çuditshme».

-Çfarë bëri?
«Hapi çantën me dokumentat sekrete që e mbante gjithmonë me vete dhe i shpërndau. Pastaj nisi të dhurojë kartëmonedha: një çmenduri e paimagjinuar për një kurnac si ai. Së fundi, hipi në çatinë e kamionit: një zgjedhje absurde, shumë e rrezikshme. Kur shoferi dredhoi për të shmangur një kolonë robërish lufte gjermanë, Bisagno u rrëzua dhe u shtyp nga një kamion. Bdiq në Spitalin e Desenzano. Autopsia nuk ju bë kurrë».

-Si ka ndodhur, sipas jush?
«Dikush thekson se e kanë helmuar, se kur u rrëzua ishte tashmë duke vdekur. Unë mendoj se është droguar, në mënyrë që të provokonte incidentin. Por në rrënjën e gjithçkaje është një problem më i përgjithshëm».

-Cili?
«Historia e Rezistencës siç e njohim sot është thuajse krejtësisht false dhe duhet rishkruar nga fillimi në fund. 73 vite më pas, është e nevojshme që të jemi të sinqertë: shumë faqe të historisë që konsiderohet si e vërtetë në realitet nuk është. Luftërat civile qenë dy. Përveç asaj kundër nazifashistëve, qe edhe lufta e kryer nga komunistët kundër atyre që nuk e mendonin si ata».

-Nuk duhet të kemi frikë nga e vërteta. Mbetem i bindur se Rezistenca nuk i përket asnjë fraksioni, bile as atij që i ka sekustruar kujtesën në pasluftë, por kombit.
«Lexoj gjithnjë me interes atë që ju shkruani lidhur me Rezistencën, por e mendoj ndryshe. Ju jepni një këndvështrim të luftës tonë civile që mua më duket tejet bujar. Shumë i mirë. Siç ndodh në të gjitha luftërat civile, edhe në Itali konflikti i periudhës 1943 – 1945 ka qenë mizor dhe nuk ka kursyer askënd. Nuk po flas për gjermanët dhe fashistët, kundërshtarë të destinuar që të nënshtroheshin. Po flas për luftën në brendësi të rreshtimit antifashist, i dominuar nga partia e vetme që i ishte kundërvënë gjithmonë regjimit të Mussolinit: Partinë Komuniste».

-Shumë partizanë nuk qenë komunistë.
«Partitë e tjera nuk ekzistonin, duke filluar nga të moderuarit. Qëndronin në komitetet çlirimtare, por nuk kishin asnjë lloj peshe. Kurse komandantët partizanë jokomunistë kishin peshë dhe shpesh shumë. Por kur fillonin t’i kundërviheshin supremacisë së Partisë Komuniste italiane, fillonin të peshonin gjithnjë e më pak. Kishte përjashtime: Mauri në Piemonte, Bisagno në Liguria. Por është pikërisht figura e Bisagno, ajo që na ndihmon të kuptojmë ashpërsinë e konfrontimit të brendshëm në frontin antifashist. Derikur Bisagno është marrë me guerriljen, nuk ka hasur kurrë pengesa. Kur ka nisur të jetë shumë i fortë dhe të bëjë politikë, për të kanë nisur problemet».

-Rezistenca nuk u bë vetëm nga partizanët, por edhe nga civilët. Nga gratë, nga hebrenjtë, nga karabinierët, nga ushtarakët që luftuan përkrah aleatëve, nga të internuarit ushtarakë në Gjermani që preferuan të qëndronin në kampet e përqendrimit në vend që të shkonin në Salò.
«Ama shumica e italianëve donte vetëm që të kalonte furtuna për t’ju përkushtuar punëve të veta dhe kjo është vetë rrënja e fashizmit. E dini cila ishte diferenca midis meje dhe jush? Që unë kam një vizion shumë pesimist për Italinë. Sapo jam punësuar në “La Stampa”, në verën e vitit 1961, Zëvenësdrejtori Casalegno më dërgoi që të intervistoja Giuseppe Saragat, i cili më tha: “Të qeverisësh italianët nuk është e vështirë. Është e kotë”. Përpara tij e kishte thënë tashmë Benito Mussolini».

-Çfarë efekti ju ngjall sot alarmi antifashist?
«Janë budallallëqe. Sot drama e vërtetë është se kemi një klasë politike të paaftë e të rrezikshme. Për këtë arsye kësaj radhe nuk do të shkoj të votoj. Jam i preokupuar për kë ka fëmijë. Unë timin e humba 3 muaj më parë, nga infarkti, në moshën 55-vjeçare. Vetëm dashuria për time shoqe Adele më ka penguar që të vras veten».

-Ju thoni se Rezistenca është atdheu juaj moral.
«E them akoma. Ama jo Rezistencën e atyre që donin një diktaturë nën urdhërat e Moskës».

-Në vitin 1943 ishit vetëm 8 vjeç. Nëse do të kishit pasur 10 më shumë, çfarë do të kishit bërë?
«Ime më Giovanna më thoshte në piemontezçe: “Giampaolo, ti je një vullnetar”. Do të kisha shkuar me partizanët. Ama e respektoj atë që me qëllimin e mirë bëri një zgjedhje tjetër. Dhe nuk kam nevojë për patent që të rishkruaj librat e mi revizionistë. Po të kisha shumë kohë përpara vetes, do të rishkruaja historinë e Rezistencës. U takon historianëve të rinj që ta bëjnë. Çfarë presin?».

Përgatiti
ARMIN TIRANA