Çdo ditë në Shqipëri pezullojnë aktivitetin rreth 50 biznese, të cilat kalojnë në status pasiv. Shifra del nga të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Sipas administratës tatimore, nga fillimi i këtij viti kanë kaluar në status pasiv duke pezulluar aktivitetin mbi 2470 ndërmarrje ose 48.5 ndërmarrje në ditë. Prej vitit të kaluar Shqipëria po përballet me një valë masive të mbylljes së bizneseve.
Edhe pse këto ndërmarrje nuk çregjistrohen përfundimisht, për shkak të proçedurave burokratike, kalimi në status pasiv nënkupton se ato mbyllin aktivitetin e tyre dhe nuk kontribuojnë më në ekonomi.
Pjesa më e madhe e bizneseve të mbyllura janë persona fizikë, të vetëpunësuar. Biznese të tilla, kryesisht në tregti me pakicë, hapen dhe mbyllen vazhdimisht, teksa konkurrenca nga qendrat e mëdha tregtare dhe rrjetet e organizuara të tregtisë është shtuar ndjeshëm. Po kështu veç bizneseve të tregtisë, një tjetër degë ku bizneset po dalin nga tregu me shpejtësi, është ajo e shërbimeve, veçanërisht lokalet apo baret.

Gati TVSH
Nga 1 prilli biznesi i vogël do të ketë edhe një vështirësi më tepër, pagesën e tatimit mbi vlerën e shtuar. Sipas paketës së re fiskale, nga data 1 prill, subjektet me xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë do të paguajnë TVSH.
Administrata tatimore ka njoftuar tashmë tatimpaguesit, të cilët kanë realizuar një qarkullim mbi 2 milionë lekë, për vitin e kaluar, por dhe ata që parashikojnë të realizojnë këtë xhiro gjatë këtij viti se nga 1 Prilli duhet të regjistrohen me përgjegjësinë tatimore të TVSH-së dhe të mbajnë rekordin e inventarëve.
Vendosja e TVSH u kundërshtua ashpër nga biznesi i vogël, por edhe ekspertët. Sipas tyre kjo masë do të rëndojë akoma më shumë sipërmarrjet e mbijetesës duke krijuar efekte negative, jo vetëm për ekonominë, por edhe nga ana sociale për shkak të rritjes së papunësisë.

112 mijë biznese në pasiv
Në total numri i bizneseve me status pasiv ka arritur mbi 112 mijë subjekte. Këto janë biznese, të cilat kanë pezulluar aktivitetin e tyre në vite, por që nuk janë çregjistuar përfundimisht ndaj qëndrojnë me status pasiv.
Aktualisht numri i subjekteve pasive është thuajse i barabartë me ato të bizneseve që janë active. Kjo do të thotë se për çdo biznes që operon në treg, ka një biznes në pasiv.
Gjendja financiare e biznesit veç situatës së shtrënguar ekonomike, gjatë viteve të fundit është goditur rëndë edhe nga politika fiskale, në të gjitha nivelet. Në tre vitet e fundit biznesi në Shqipëri është përballur me rritje taksash nga të gjitha anët. Fillimisht ishte qeveria, e cila ndërmori dy rritje taksash rresht në vitet 2014-2015 me nga 200 milionë dollarë secila.
Por rritja e taksave qëndrore nuk ishte e vetmja. Në 2016-n bizneset u përballën me një tjetër rritje, këtë herë të taksave lokale, veçanërisht në kryeqytet. Për disa taksa apo tarifa të caktuara, si ajo e pastrimit, barra u rrit deri në tre herë duke çuar shumë subjekte në mbyllje të përkohshme dhe të tjera drejt mbylljes së plotë.