Artistët kanë reaguar sërish pas deklaratave të kryeministrit Rama për prishjen e Teatrit Kombëtar. Në takimin e djeshëm, ata kanë kërkuar ndaljen e menjëhershme të planeve shkatërrimtare të qeverisë si dhe dëgjimin e fjalës së tyre sa me shpejt. Gjithashtu në reagimin e tyre theksohet se, qeveritë e shohin teatrin si të keqe të madhe publike dhe kërkojnë ndalimin e kundërvënies keqdashëse ndaj Teatrit. Ata kërkojnë gjithashtu status të miratuar me ligj për artistët e skenës, ndryshimin e raporteve mes qeverisë dhe artistëve.

Reagimi i plotë i artistëve

Prej më shumë se dy dekadash, Teatri shqiptar gjendet nën përbaltjen prej autoriteteve qeverisëse, përballë trysnive të pandërprera për t’u dëbuar prej shtëpisë së tyre, përballë shurdhërisë së pushteteve dhe nënçmimit të përgjithshëm.
Pasi u la i braktisur në një ndërtesë të padenjë për podin e komunikimit të artistit me publikun; pasi u mashtrua me premtime gjithfarëshe për ngrehina të reja skenike; pasi u dekonsiderua përmes mekanizmave të pagave dhe u margjinalizua tërësisht në jetën kulturore të vendit, tani duan t’i marrin dhe nderin e t’ia ftohin publikun. Qendrimi ndaj Teatrit nuk është çështje episodesh, por një konstante politike.
Qeveritë e kanë parë dhe e shohin teatrin si një të keqe publike, që i duhet nxirë lavdia e i duhet errësuar perspektiva. Kjo konstante është e njëjtë edhe për të gjitha institucionet e tjera arsimore, kulturore e shkencore. Televizionet dhe shtypi janë kazanë të së keqes, universiteti është bishti i kavallit, akademia është agjenci funeralesh dhe teatri një çetë mediokrish. Pyetja jonë është: Pse qeveria e ka këtë armiqësi me gjithë njerëzit e punës mendore? Është politikë apo kompleks?
Ne kërkojmë me urgjencë të dëgjohemi e të përfillemi, të na kërkohet ndjesë e sinqertë dhe e besueshme për fyerjet dhe përbaltjen, të ndalohen menjëherë planet shkatërrimtare për ndërtesën modeste që është shtëpia e artistëve, të rivendoset në lartësinë që u takon nderi dhe prestigji i tyre.

Ne kërkojmë të ndalet menjëherë kundërvënia keqdashëse ndaj teatrit dhe të merret në vlerësim nevoja për një teatër të ri, për një status të miratuar me ligj për artistin e skenës, për një ndryshim rrënjësor të raporteve midis teatrit dhe qeverisë.
Të gjitha këto kërkojmë të paraqiten në një dokument me shkrim, të pranueshëm për ne, para se të flitet për një takim zyrtar me kreun e ministrisë, për një zgjidhje të drejtë të konfliktit, që as u provokua dhe as u shkaktua nga ne.
Ne jemi të qartë dhe të kthjellët për raportet e reja e të pafrytshme që derivojnë nga rregullimet ligjore të inicuara nga Ministria e Kulturës në mënyrë jo transparente. Ballafaqimi i iniciativave tuaja me sugjerimet tona në marrëdhënie me funksionimin e ligjit do të shpërfaqë realitetet konkrete, të cilat kontestohen me të drejtë nga komuniteti i artit skenik. Mbetemi në pritje të vendimit tuaj në shërbim të transparencës, zhvillimit dhe kontributit, e në funksion të artit skenik shqiptar.
“Turbina”, godina që aktorët me tallje e kanë pagëzuar si “hidrocentrali”, është e papranueshme për ta. Më shumë sesa kushtet e dy sallave të reja, i shqetëson një skemë, sipas të cilës, braktisja e Teatrit Kombëtar, do t’i hapë rrugë projektit të Teatrit me Kullë. Shembulli është i freskët nga historia e ish-Stadiumit “Qemal Stafa”. Paranoja, plotësisht e justifikuar. Hapja e dyerve të “Turbinës” mund të jetë fillimi i planit për shkatërrimin e godinës ekzistuese të Teatrit, për sa kohë nuk ka asnjë konsultim paraprak për planet që ka Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës.